Sunday, February 19, 2017

Aco Shopov - Arritja e gjatë e fjalës

1.

Aty është ai zjarr, poshtë këtyre ujërave të rrëmbyer,
Nën këtë mbigur dhe fatkeqësisë së shtuar.

Poshtë këtyre ujërave të rëndë e të pjekur
Trekëndëshi i zi, zishëm që i ndanë thekur.

Poshtë kësaj kurore me krena dielli,
Nën këtë dallgë që shkrepat përmbyti.

Aty është ai zjarr nën këtë lëkurë,
Yll është në zemër, terr në rrënjën tkurrë.


2.

Gërmo,
Rrëmo.

Nga burimi deri të shtrati
Nga grushti deri te kryqi.

Nga nëntoka në humbëtirë
Nga fjala te shpat'e mpirë.

Gërmo,
Rrëmo.


3.

S'do ta zbulosh ti duke pritur
Se me lisin e lartë është rritur.

Ndërmjet tre drurëve përkundet në djep.
Era është e kuqe në secilin cep.

Ushtari në kishë tek ikonë e vjetër.
Fjala seç i humbi kur kërkonte veten.

Qe, aty i përkulur si mi i hutuar
Fjalën e gdhend stoli për altar.

Gërmo në vetvete, te jotja lëkur',
Përfundi tri plagëve, që digjen purpur.


4.

Gërmo.
Rrëmo.

Që nga fshati gjer te hiri,
Që nga kocka gjer te gjiri.

Që nga zori të murrizi,
Që nga drithi te mallkimi.

Që nga shenja të rrënkimi
Që nga ftesa të shpërthimi.

Gërmo.
Rrëmo.


5.

Kurrë s'do ta gërmosh, as me vjedhje të zezë,
As të vdekurit janë meitë, as të gjallët njerëz.

Kryqin e patën të lehtë hirin të rëndë me brenga.
Të vdekurit do vdesin kur t'u vdesë dhe kënga.

Varrin s'e kanë të vështirë, të vdekurit ku janë shtrirë.
Këngët që këndojnë të gjallët, u rëndojnë pa mëshirë.

S'do ta zbulosh zjarrin, sikur aty të mbesësh.
është ai shenjtor që del nga ikona shekujsh.

është ai gur për të gjitha kokat e ndjera,
Shëndet dhe sëmundje është hyjnore sofra.

është ajo magji, çudi gjaku që ndërton,
Kokat që rrëzon dhe plagët shëron.

Nën ato vrragë gërmo, nën thikën që kërcënon,
Zjarri është në sytë e tu, beteja lulësh që shkakton.


6.

Gërmo,
Rrëmo.

Mallkimin e tyre të fundit lumenjtë do ta thonë,
Do shterrojnë, e s'do të rrjedhin më botës tonë.

Qielli do të rrëzohet.
Do rrokullisen malet, thatësia do mbretërojë.

Një do bëhen yje dhe bisha, helme dhe ara pambjellur,
E s'do të dihet më kush është i gjallë, e kush i vdekur.

Gërmo,
Rrëmo.


7.

Poshtë teje derisa gërmon, ai ka hipur mbi
Dhe një kokë mortore të supet të rri.

Viseve të paditura, të verbuar, zjarri të shpie,
Dhe s'do pyetesh kurrë: kush ishe dhe kush je?


Këtu është, në këtë rrënjë, në këtë heshtje që vezullon
Dhe për dritën e vet s'do kujtohet kurrë, por harron.

Në çdo lis varur me nga një të vdekur rri,
Gjithnjë koka do të varet nga një lartësi.


8.

Në vetvete gërmo, nën lëkurën tënde përsëri,
Poshtë diellit të zi e thikave të gjata tri.

Aty është ky zjarr, nën ujërat e rrëmbyer,
Në këtë gropë tmerri lindi fjalë të uritur.

Mbase dhe bisha në strofull ta ketë zbutur,
Ta vrasë, ta copetojë, e ta ketë drobitur.

Me të në të mirë, më i mirë se lulja është,
Pa të më e varfër e tërë bota është.

Kryqin e kemi të lehtë, hirin të rëndë, thonë,
Të vdekurit do vdesin me ne dhe më këngën tonë.

1970
Përktheu: Resul Shabani

No comments:

Post a Comment